Friday, May 18, 2012

Prioritete: zhvillimi i turizmit kulturor dhe historik, masivizimi i sportit, srategji për shtresat në nevojë


Tri janë shtyllat kryesore tek të cilat do të referohet puna  e Bashkisë Fier për vitin 2012. Kështu,  në  prezantimin e programit vjetor nga ana e nënkryetarit të Bashkisë, Flamur Mato, u evidentua si element parësor fokusimi, zhvillimi i turizmit kulturor dhe historik, masivizimi i sportit,  si dhe vëmendja  për një srategji shumëdimensionale në ndihmë të  shtresave në nevojë. Këto tri  shtylla qendrore, të shoqëruara edhe nga projekte konkrete në  shumë fusha, siç është edhe infrastruktura, kanë qenë në esencë të takimit të hapur  të zhvilluar me qytetarë fierakë dhe intelektualë të qytetit. Në këtë mënyrë, gjatë këtij viti, Bashkia Fier do të përqendrohet në  zhvillimin e turizmit, duke u ndalur parësisht në turizmin kulturor dhe historik, elementet e trashëgimisë kulturore, artin e kultivuar dhe  impaktet sportive. Ndërkohë, jubileu i 100-vjetorit të Pavarësisë  do të shërbejë si një argument më shumë për të krijuar ngjarje dhe atraksione turistike. Po ashtu, sipas Matos, Bashkia Fier,  duke e konsideruar sportin si një nga burimet e rëndësishme që krijon tërheqje për zhvillimin e turizmit, në kuptimin e vizitorëve që vijnë nga jashtë në qytetin tonë, gjatë këtij viti,  do të punojë për plotësimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive në qytet, krijimin e mjediseve që do t’i shërbejnë përmirësimit të performancës së sportistëve, ndërtimin e pallatit të sportit  dhe rritjen e numrit të pjesëmarrësve në këto aktivitete. Nënkryetari Mato ka nënvizuar gjithashtu se Bashkia, duke ruajtur profilin e saj thellësisht social, ka objektiv  për këtë vit kujdesin ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe ndaj shtresave vunerabël, si dhe grupeve të caktuara sociale, të cilat jetojnë nën minimumin jetik. “Është parashikuar që gjatë vitit 2012 të ngrihet  një qendër  multifunksionale për fëmijët me aftësi të kufizuara, ku përfshihen kopshti, shkolla dhe kurse profesionale për këta fëmijë, do të çelet një qendër social-kulturore për moshën e tretë, do të krijohet një miniqendër për   Shoqatën e të Verbërve, Shoqatën e Para-tetraplegjikëve, Shoqatën e Shurdh-memecëve, si dhe do të bëhet e mundur ngritja e një grupi multidisiplinor për mbrojtjen e grave dhe vajzave në nevojë”, - ka paraqitur ndër të tjera Mato. Një pikë  tjetër e veçantë që u  prezantua, ishte edhe transporti  urban falas për invalidët e punës, në të gjitha linjat e shërbimit. Mato u shpreh se programi i Bashkisë për këtë vit mbështetet në parime të tjera të rëndësishme. “Qeverisja me pjesëmarrjen e qytetarëve, bashkëpunimi me gjithë aktorët që kontribuojnë në zhvillimin e qytetit, forcimi i partneritetit me biznesin, duke krijuar mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm, transparencë maksimale, si parakusht për besim reciprok me qytetarin dhe institucionet, shfrytëzimi eficient e racional i çdo burimi zhvillimor që ofron konteksti  natyror social dhe ekonomik i Fierit, zhvillimi hapësinor i qytetit, duke garantuar kriteret e multifunksionalitetit të hapësirave publike, janë disa nga parimet themelore të programit të punës në Bashkinë Fier’,- ka vijuar Mato, i cili në fund, theksoi se ky institucion punon për të pasur një qytet, ku çdo individ të jetojë, punojë dhe argëtohet pa përjashtim.

No comments:

Post a Comment