Fieri, destinacion turistik
Zhvillimi i turizmit dhe i kulturës, sporti
dhe ndihma për njerëzit në nevojë janë evidentuar si prioritetet kryesore nga
ana e kryebashkiakut të Fierit, Baftjar Zeqaj. Ky i
fundit, sqaron pse u duhet dhënë hapësirë, pikërisht këtyre tre
fushave:
”Kultura dhe
turizmi, sporti dhe shtresat në nevojë janë tri
shtyllat bazale të këtij katërvjeçari, pa lënë mënjanë padyshim edhe investime
të tjera, të cilat do të kenë vëmendjen e duhur në vazhdimësi.
Do të insistojmë në zhvillimin e turizmit kulturor, arkeologjik apo historik, pasi
Fieri është vendi i bekuar që ka resurse në të gjitha këto fusha. Sot, ky qytet
është vendi i potencialit historik, me pika arkeologjike që tejçojnë jo vetëm
vlera si të tilla, por kanë të gdhendura në brendësi datime historike, epoka të
ndryshme të lidhura ngushtësisht me periudha që kanë tërhequr vëmendjen brenda
dhe jashtë kufijve. Fieri do të kthehet në kryeqendrën e kulturës, pasi vetë
qytetarët nuk mund ta kuptojnë dot qytetin e tyre pa këtë shenjim, që përbën
njëherësh dhe një nga emblemat kryesore të Fierit.
Sporti është renditur i dyti për nga rëndësia. Është
parë në një plan të gjerë, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë për
një përfshirje sa më masive të të rinjve në disiplina të ndryshme sportive.
Ndërtimi i Pallatit të Sportit është një nga investimet që do të zgjidhë
njëherë e përgjithmonë ngërçin e krijuar, jo vetëm për lojërat me dorë, por
edhe për t’u ardhur në ndihmë sporteve të tjera, si mundjes, boksit etj. Klubi
shumësportësh “Apolonia” ka dhuruar rezultate dinjitoze në sporte të ndryshme,
duke i dhënë tonin boksit, çiklizmit, basketbollit të femrave etj. Po kështu,
një projekt i rëndësishëm është edhe ndërtimi i kalçetove nëpër shkolla.
Prioritet
tjetër do të jetë vëmendja ndaj shtresave
në nevojë, familjeve me probleme sociale dhe ekonomike. Në këtë kuadër,
gjatë 2012 - tës, do të përfundojë qendra multifunksionale për personat me
aftësi të kufizuar, do të ngrihet një qendër social - kulturore për moshën e
tretë, po ashtu, prioritet do të ketë krijimi i një miniqendre për të verbrit,
paraplegjikët dhe tetraplegjikët, për shurdh-memecët, etj. Natyrisht, më duhet
ta theksoj edhe një herë që këto do të jenë tri prioritete kryesore, por puna
do të vazhdojë me shumë dimensione.
No comments:
Post a Comment