
Mirë se vini në Fierin e luleve!
Fieri, qyteti ynë i përbashkët, është sot vendi që na bën të ndihemi krenar. Ky qytet me vlera unike, i pasur me histori, kulturë, etnografi, arkitekturë dhe natyrë të bukur, na ka obliguar të gjithëve për ta kthyer në destinacion të së ardhmes, në kreacionin dhe avenirin e një qyteti që flet me gjuhën e zhvillimit. Fieri i luleve karakterizohet nga bashkëjetesa fetare dhe harmonia e kulturave, plazmohet nga tharmi më i mirë i simbiozës etno-kulturore, duke u kthyer në shembullin e qytetërimit.
Në vitin 1925, në librin e tij “Ekonomia dhe kultura e Apolonisë”, profesori i Universitetit të Vjenës, Karl Pasch, ndër të tjera, do të shprehej: “Prodhimet e shumta natyrore, pasuria e vendit, e popullit, e fiseve ilire, po ashtu edhe puna e dorës e popullsisë së kujdesshme, u tërhoqën vëmendjen tregtarëve të huaj për të ardhur në Apoloni”.
Kjo dëshmi është një ballinë autenticiteti, një memorial panprezantues për qytetin tonë të dashur. Fieri i ka themelet në antikitet dhe, kohë pas kohe, është mbrujtur me një larmishmëri vlerash materiale, kulturore dhe shpirtërore. Kjo nyjë e rëndësishme është kthyer tanimë në frymëzimin dhe orientimin e zhvillimit të qëndrueshëm rajonal. Sot, Fieri ka një plan strategjik zhvillimi afatgjatë, që e bën lider në fushën e planifikimit. Sot, Fieri ka një strategji zhvillimi për turizmin kulturor, historik, arkeologjik dhe bregdetar, si një mekanizëm që sjell mirëqenie, impakt pozitiv ekonomik, indicie shoqërore dhe mjedisore. Fieri është vendi i mikpritjes, i fjalës së urtë dhe të mençur, i atributeve dhe potencialeve të padiskutueshme krijuese e njerëzore. Fieri është vendi i harmonisë, i begatisë, i dashurisë së përkorë njerëzore.
Në Fier, të gjithë ndihen si në shtëpinë e tyre, sepse Fieri është shtëpia e të gjithëve!
Kryetari i Bashkisë
Baftjar Zeqaj
No comments:
Post a Comment