Friday, June 29, 2012

Apolonia , fituese e Rrethit të 69 - të Çiklistik si në renditjen ekipore, ashtu dhe atë individuale




Rrethi i 69 - të çiklistik ka lënë pas pedalimin e vet ditën e shtunë, duke njohur dhe fituesit e radhës. Ky tur ka njohur dominancën e padiskutueshme të çiklistëve fierakë dhe trajnerit të tyre, Kiço Kalemi, duke korrur fitore te dyfishtë, si në renditjen individuale ku ka triumfuar për të tretin vit radhazi vlonjati i Apolonisë Besmir Banushi, ashtu dhe në atë ekipore, ku Apolonia ka pasur një avantazh prej 22’ 4” nga Tirana e vendit të dytë. Etapa e fundit ka qenë ajo Qafë Thanë - Fier, 110 km e gjatë. Gjatë gjithë rrugës, sipas vlerësimit të kryegjyqtarit Ilmi Gjyzeli, ka apsur rivalitet dhe emocion, çiklistët kanë ecur kryesisht në grup, ndërsa në afërsi të Fierit, ka qenë çiklisti tiranas Emiljano Stojku ai që është shkëputur,duke rivalizuar deri në finish me gjermanin Mateo Libtak dhe fierakun Altin Sufaj. Stojku ka hyrë i pari që ka prekur finishin, me kohën 3h 33’ 20” dhe pas tij, respektivisht secili me nga + 1”, çiklisti i ekipit gjerman “Profiline”, Mateo Libtak dhe Altin Sufaj i Apolonisë. Suksesi i arritur nga përfqaësuesit e dyrrotëshit fierak, ka bërë që podiumi i më të mirit në këtë sport të rikthehet në “identitet” në qytetin myzeqar, pas një “pauze” dyvjeçare, ku fituese ka qenë Tirana. Ceremonia e ndarjes së çmimeve është bërë aty ku startoi ky Rreth, pikërisht para Teatrit “Bylis”. Kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, i cili ka treguar kujdesjen e veçantë për zhvillimin e Rrethit të 69 - të Çiklistik, i ka dorëzuar kupën e fituesit çiklistit të Apolonisë, Besmir Banushi, i cili ka marrë dhe një dhuratë të veçantë simbolike nga shokët e skuadrës së tij dhe trajneri Kalemi, pikërisht një biçikletë, “emblemën” e sportit që ushtron tre herë kampioni i çiklizmit, Banushi. Për Apoloninë, është hera e dhjetë që shpallet “mbretëresha” e çiklizmit shqiptar, meritë e pasionit të sportistëve të apasionuar dhe trajnerit të palodhur Kalemi. Në këtë rreth kanë marrë pjesë 12 ekipe: Tiranëa, Partizani, Teuta, Vllaznia, Apolonia, Flamurtari, Elbasani, Burreli, Kombëtarja e Kosovës, e Maqedonisë, skuadra gjermane “Profiline” dhe “Amore Vita” e Italisë. Një fakt interesant është edhe renditja e tre çiklistëve të parë të këtij rrethi, të cilët kanë pasur të njëjtin klasifikim edhe rrethin e kaluar, pra: Banushi i pari, Sufa i dyti dhe Sefa i treti, por me ndryshimin se vitin e kaluar Banushi dhe Dufa garonin për ngjyrat e Tiranës, ndërsa këtë vit për Apoloninë.

Skënder Anxhaku, President i FSHÇ- së: “Jam shumë i emocionuar për mbështetjen që ka bërë Bashkia Fieri dhe veçanërisht kryetari i saj, Baftjar Zeqaj, sportit të çiklizmit. Edhe rrethi i 69 - të që përfundoi sot (dje), u zhvillua nën kujdesin e kryetarit Zeqaj. Ishte një aktivitet shumë i fortë, i bukur dhe me rivalitet midis ekipeve pjesëmarrëse. Megjithatë, ekipi i Apolonisë bëri diferencën, duke u shpallur me meritë kampion me mbështetjen që i ka bërë klubi sportiv me në krye shefin e këtij klubi, Lili Gërmau, si dhe Bashkia. Do të doja të përfitoja nga kjo intervistë për t’i bërë thirrje Kryeministrit, ministrit të Rinisë dhe Sporteve, që të ndryshojnë ligjin e sportit me çdo kusht. Çiklistët e ekipeve të ndryshme, si Tirana, Shkodra etj kanë ardhur pa lekë, pa dieta dhe të vetmet ekipe që janë mbështetur fuqimisht nga bashkitë e tyre, janë Apolonia dhe Teuta. Nëse duam që sporti të ecë përpara, ligji duhet të ndryshohet domosdoshmërisht. Unë nuk dua të nxjerr veten time në pah se atë e ka treguar puna, por kam paguar lekë nga xhepi jo vetëm për ekipet e huaja pjesëmarrëse në Rrethin e 69-të Çiklistik të Shqipërisë, por dhe për ekipe të tjera. Është turp që Bashkia e Tiranës të sjellë ekipin e saj që është shpallur dy herë kampion pa asnjë lek. Ata janë djem nënash që qëndrojnë nga 5 - 6 orë në biçikletë, por s’kishin lekë për hotel, për të ngrënë bukë, qoftë dhe për të pirë një shishe ujë dhe ky është një paradoks, një turp i vërtetë. Gjërat janë reale. Do të doja t’i bëja thirrje Shpëtim Gjikës, që mos të shikojë vetëm futbollin, por t’i hedhë sytë dhe nga çiklizmi. Fituesin e këtij rrethi çiklistik, Besmir Banushi, që është një nga çiklistët më të mire, e lanë në mes të rrugës dhe i dha përkrahje ekipi i Apolonisë, që e mori në gjirin e vet. Sivjet, më lejoni që të falënderoj Policinë e Shtetit për mbështetjen që na ka dhënë nga fillimi deri në përfundim të Rrethit të 69-të Çiklistik, duke na mbështetur fuqimisht dhe, si rrjedhojë, nuk ka pasur asnjë lloj incidenti. Duke u kthyer sërish te gara, më duhet të them se, ndonëse ekipi i Apolonisë ishte përforcuar me tre çiklistë tepër cilësorë, përsëri ai mbetet një ndër ekipet më të mira të vendit dhe është për t’u lavdëruar trajneri Kiço Kalemi, pavarësisht se është ekspresiv dhe kalon edhe në fyerje ndaj gjyqtarisë. Tani na duhet të përgatitemi për Kampionatin Evropian të çiklizmit, por jemi shumë keq me fondet. Kemi nja 2-3 çiklistë në Itali që përgatiten dhe garojnë me ekipe italiane, por që janë me licensa shqiptare.Jo vetëm kaq, por kemi me të dhëna shumë të mira dhe çiklistë të rinj në qytete, si: Fieri, Durrësi apo Tirana. Shqetësimi ynë ka të bëjë me faktin se ne nuk mund t’i përkrahim dot këto talente të reja pasi, ministria jep një buxhet qesharak, sa të vjen turp ta thuash, ndaj u del për detyrë bashkive të qyteteve që t’i inkurajojnë dhe përkrahin këta çiklistë, ashtu siç bën konkretisht Bashkia e Fierit, gjë që e tregojnë dhe rezultatet e arritura nga ekipi i Apolonisë”.

Kiço Kalemi, trajner i Apolonisë: “Ka qenë një rreth çiklistik i bukur, i fortë, me rivalitet, ku të gjitha ekipet kishin ardhur të përgatitura. Megjithatë, ekipi ynë, Apolonia, bëri një figur mjaft të mirë dhe arriti një fitore të dyfishtë, si ekip dhe si individ, të bukur e plotësisht të merituar. Djemtë tanë e ndjen rivalitetin vetëm në dy etapa, në atë të parën Fier-Lushnje-Vlorë dhe në të fundit, Qaf Thanë-Fier, ndërsa në etapat e tjera, në saj të përgatitjes së breë, skuadra tregoi force dhe karakter, duke bërë diferencën me çiklistët e ekipeve të tjera dhe duke krijuar avantazhe të theksuara kundërshtarëve në kohë. Me fitimin e këtij rrethi, kurorëzuam punën gjithëvjeçare që kemi bërë dhe, për këtë, dua të falënderoj djemtë për vullnetin dhe profesionalitetin e treguar, shefin e klubit shumësportësh Apolonia, Lili Gërmau dhe, në veçanti, kryetarin e Bashkisë, Baftjar Zeqaj, për inkurajimin, përkrahjen dhe ndihmën e dhënë”.

Besmir Banushi, fituesi i Rrethit: “Ka qenë një rreth mjaft i vështirë, me një rivalitet të fortë, që u shoqërua me temperatura të larta dhe probleme të njohura klimatike. Pavarësisht të gjithave, Apolonia ka qenë kompakte, ka dëshmuar një përgatitje të lartë gjatë gjithë rrethit çiklistik dhe arriti me meritë të plotë që të fitonte si ekip dhe si individ. Treguam se me punë, djersë, por edhe me sakrifica, arrihet gjithçka. Unë hyra në këtë rreth me synimin për ta fituar atë dhe ia arrita qëllimit, duke krijuar diferencë nga çiklistët e tjerë. Nuk e shoh si meritë individuale, por edhe në sajë të ndihmëssë madhe të shokëve të skuadrës, si dhe taktikës së zgjedhur nga trajneri Kiço Kalemi. Tek Apolonia e ndiej veten si në shtëpinë time. Është një skuadër ku mbizotëron harmonia, skuadër me një staf mjaft. Në Fier, njerëzit nuk duan vetëm futbollin, por duan sportin në përgjithësi. Ndërkohë, dëshira më ka tunduar që të garoja me ekipin e Apolonisë dhe më parë. Megjithatë, tashmë ndihem pjesë e tij. Mendoj se ky ekip do të jetë një trampolinë për mua në të ardhmen. Dëshira ime është që të vazhdoj të jem fitues titujsh kampion dhe garash të ndryshme, por gjithmonë duke qenë pjesë e ekipit të Apolonisë”.

Baftjar Zeqaj, kryetar i Bashkisë Fier: “Bashkia Fier,një ndër prioritetet kryesore ka masivizimin e sportit. Duke pasur parasysh rezultatet që ka arritur çiklizmi në Fier, ne e ndiejmë si obligim që të japim mbeshtetjen tonë maksimale. Kemi sot në Fier çiklistë të talentuar, të cilët kanë ditur ta përfaqësojnë denjësisht qytetin tonë në të gjitha garat çiklistike. Apolonia i ka dhënë tonin këtij sporti dhe unë besoj se do të vazhdojë të jetë skuadër elitare dhe kampione edhe në vazhdimësi”.

ETAPA QAF THANË - FIER, 110 km

1- Emiljano Stojku (Tirana) - 3h 33’ 20”
2- Mateo Libtak (Profiline) - 3h 33’ 21”
3- Altin Sufaj (Apolonia) - 3h 33’ 22”

RENDITJA E PËRGJITHSHME:

1- Besmir Banushi (Apolonia) - 16 h 10’ 08”
2- Altin Sufaj (Apolonia) - 16h 18’ 08”
3- Ylber Sefa (Tirana) - 16h 19’ 21”

RENDITJA E PËRGJITHSHME EKIPORE:

1- APOLONIA - 48h 58’ 34”
2- TIRANA - 49h 20’ 38”
3- ELBASANI - 49h 22’ 03”

No comments:

Post a Comment