Monday, September 10, 2012

FJALA E KRYETARIT TE BASHKISE ME RASTIN E CELJES SE VITIT TE RI SHKOLLOR


                 
 
Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,

Dita e parë e shkollës është një ndër ditët që përjetohet me shumë emocione në çdo familje, prandaj gjej sot rastin të përshëndes dhe uroj të gjithë nxënësit dhe stafin mësimdhënës:
Suksese në vitin e ri shkollor 2012-2013!

Fillimisht dëshiroj të uroj vogëlushët që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Të dashur vogëlushë,
ju sot trokisni në një derë të panjohur më parë, por shumë të bukur, në derën e diturisë. Gërmëzimet e para të Abetares do të çelin për ju dritën e dijes dhe udhën e bukur të së ardhmes.
Po ashtu, si qytetar i parë, dëshiroj të përcjell një urim të veçantë për të gjithë maturantët e qytetit tonë, ata që na kanë përfaqësuar denjësisht dhe në nivele të larta në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

Suksese të pafundme do të doja t’u uroja edhe gjithë nxënësve të tjerë të klasave të ndërmjetme, të cilët plotësojnë plejadën e arsimit fierak, për të cilin ne jemi krenar.

Bashkë me nxënësit, një mision të rëndësishëm kanë edhe mësuesit, ata që edukojnë me përkushtim dhe njohuri bashkëkohore këtë brez të mrekullueshëm.

Në emër të institucionit që përfaqësoj, unë premtoj se Bashkia Fier do të jetë gjithmonë mbështetëse, promovuese dhe nxitëse e politikave pozitive arsimore, ashtu sikundër kemi bërë edhe viteve të kaluara.

Ju, të dashur nxënës, keni fatin e mirë që në këtë vit jubile të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, të shprehni gjatë këtij viti mësimor vlerat tuaja më të mira, prandaj arsimohuni që të krenohemi me ju jo vetëm ne, jo vetëm Fieri, por e gjithë Shqipëria.
Suksese!


KRYETARI I BASHKISE FIER,
BAFTJAR ZEQAJ

No comments:

Post a Comment