“Kush dëshiron dhe ëndërron të vallëzojë, fare mirë mund të ndjekë
kursin falas, të zhvilluar në këtë zonë bregdetare, të njohur tashmë për
bukuritë e saj. Ky është një projekt që zhvillohet për herë të parë në
Shqipëri dhe aplikohet për të gjithë adhuruesit e kërcimit. Grupi i
baletit përbëhet nga studentë të Akademisë së Universitetit të Tiranës,
balerinë të njohur, madje të ardhur edhe nga Kosova”,-thotë koreografja e
njohur Kozeta Bakiu. Vallëzimi në rërë është aktiviteti që po gëlon
këto ditë në bregdetin e Semanit dhe Darëzezës. “Të vallëzojmë së
bashku”, është projekti më i ri dhe më i veçantë i Bashkisë Fier, i cili
ka vetëm pak ditë që ka marrë rrugë në Fier. Pushues të shumtë, këto
ditë të nxehta gushti, janë përfshirë në oazin e energjisë që shpërthen
prej kërcimit rinor të vajzave të Akademisë së Arteve në Universitetin e
Tiranës, nën drejtimin e koreografes së mirënjohur, Kozeta Bakiu. Aty,
ku argëtimi nuk njeh kufij, çdo ditë krijohet mundësia e shkrirjes
brenda grupit të kërcimit, edhe e pushuesve që e ndiejnë aromën e
vallëzimit në rërë. Plazhi i Semanit dhe Darëzezës, mrekullitë natyrore
që gjenden vetëm pak larg Fierit, preferohen tashmë jo vetëm për shkak
të rërës kurative, ujit të pastër apo masivit pyjor, por edhe për
argëtimin si një mundësi më shumë për të kaluar pushime të paharrueshme.
Koreografja Bakiu shprehet se të gjithë mund të bëhen pjesë e këtij
eventi, që po e bën bregdetin e Fierit më atraktiv për turizmin shqiptar
e të huaj. Spektakli në rërë nis çdo ditë në orën 10.00 në bregdetin e
Semanit dhe pas një pushimi të shkurtër, rifillon në orën 20.00 në
afërsi të plazhit të Darëzezës. Me një punë titanike Kozeta Bakiu në
bashkëpunim me Bashkinë Fier, kanë arritur promovojnë bregdetin e Fierit
si vendin më ideal për pushimet e qytetarëve. Në projekt janë bërë
pjesë edhe sportistë të shumësportëshit, përfshi këtu vajzat e ekipit
kampion të basketbollit dhe ekipi i volejbollit. Vallëzimi në rërë është
një përvojë e re që po njeh një sukses të madh. Edhe trajneri i ekipit
të basketbollit, Spiro Kuvarati shprehet se, në këtë kuadër, ka vënë re
dëshirën e turistëve për t’u përfshirë në këto aktivitete me karakter
argëtues e çlodhës. “Edhe ne po përgatitemi për sezonin e ardhshëm dhe
për këtë kemi zgjedhur të bëhemi pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen
këto ditë në Seman dhe Darëzezë. Këtu, përveç bregdetit me ajër të
pastër, kemi edhe hapësira të mëdha për stërvitje, kemi edhe një fushë
basketbolli, që na i plotëson konditat e lojës, megjithëse është e
improvizuar. Por, ajo që na ka tërhequr vëmendjen, është fakti që të
gjithë plazhistët sapo shohin se ne nisim stërvitjen, bashkohen për të
na ndjekur dhe madje në shumë raste shkrihen më skuadrën gjatë lojës.
Kjo ka krijuar këtu një ambient tepër miqësor dhe shoh se të gjithë po
kënaqen”,- ka theksuar Kuvarati.
Ndërkohë, janë vetë pushuesit ata që
shprehen se të tilla aktivitete i kanë munguar bregdetit tonë. “Po
kalojmë ditë të veçanta. Vajzat e mia marrin pjesë në këto kërcime, dhe
përveçse argëtohemi të gjithë, mësojnë edhe vajzat të perfeksionohen në
kërcime të ndryshme. Shoh me qindra qytetarë që shfaqin interes dhe më
vjen keq që bregdetit tonë i kanë munguar këto aktivitete me karakter
argëtues”, -është shprehur Mehdi Lushkaj.
No comments:
Post a Comment