Në kuadër të 100- vjetorit të Pavarësisë në
Galerinë e Arteve në Fier u çel
ekspozita e radhës.
Piktori Agron
Jano erdhi në këtë jubile më i plotë e më optimist me punimet e tij, pas ekspozitës së
çelur një vit më parë. Në teknikën e
vizatimit dhe grafikës ai solli peizazhe
nga natyra shqiptare dhe jo vetëm.
Pasioni i arkitektit
Jano për pikturën ndalet në punët plot ngjyra harmonike e të gëzueshme dhe me
shumëllojshmëri motivesh. “Proces” titullohej ekspozita personale e piktorit, e
cila përmbante 40 piktura, punime të realizuara kryesisht vitet e fundit.
“Agroni është një artist i kompletuar. Unë i uroj atij të
ketë suksese, jo vetëm në pikturë, por dhe në Arkitekturë. Këtë herë ky autor
vjen më i plotë dhe me gjetje të reja në këtë zhanër, shumë shpërthyes e me diapazon
krijues, duke treguar se përherë di të sjellë risi”,-ka theksuar ndër të tjera
Lena.
Vetë piktori Agron Jano u shpreh se në këtë
vit jubilar të 100- vjetorit e ndiente të nevojshme që të jepte kontributin
e tij. Ai falenderoi kolegët dhe artdashësit e qytetit të Fierit për
pjesëmarrjen, pasi prezenca e tyre tregon vlerësim për të dhe artin
e tij.
“Jam i nderuar, që në këtë festë të mbarë kombit, të
jap një kontribut edhe unë si artist dhe këtë kontribut ta jap në qytetin e
Fierit. Kam sjell disa punime, duke e parë të nevojshme të jem edhe unë prezent
këtu, me ju. Falenderoj gjithë kolegët, qytetarët artdashës dhe pushtetin
vendor që kanë ardhur dhe që më kanë mbështetur në këtë ekspozitë”,-ka thënë ndër
të tjera Jano.
Frymëzimet nga vende të bukura e mbresëlënëse, arkitektura e veprave, volumet, ngjyrat plot dritë, gjuha e thjeshtë dekorative, e bëjnë autorin që çdo punim ta shohë si arkitekt dhe si piktor, duke ecur drejt një stili të veçantë.
Pas një sërë
suksesesh në ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, autori ka vendosur
të “rrëfehet” me artin e tij çdo vit në qytetin e lindjes, Fier.
No comments:
Post a Comment