Ngërçi i krijuar në Këshillin e Qarkut të Fierit ka
sjellë në këtë qytet delegacionin e dytë diplomatik, të akredituar në Tiranë. Pas ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, një tjetër
interesim i drejtpërdrejtë për çështjen e Qarkut të Fierit ka mbërritur nga
Suedia. I ngarkuari me punë i ambasadës së Mbretërisë së Suedisë në Tiranë,
Patrik Svensson, ka zhvilluar takime me zyrtarë të Bashkisë së Fierit , ku u kërkoi të dhëna mbi ecurinë e kësaj
çështjeje dhe ngërçin e krijuar aty që prej më shumë se një viti.
“Ne jemi të interesuar të dimë se si ka ecur
procesi në qark dhe cila ka qenë ajo lëvizje që ka prodhuar një situatë të
tillë, aspak të qetë. Jemi të interesuar të dimë dhe të njihemi me detaje rreth
procedurave të ndjekura dhe se si i shihni ju këto lëvizje”, u shpreh Svensson
gjatë takimit të zhvilluar në Bashkinë e Fierit.
Më pas, ai
u ndal në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke
theksuar se Suedia do të jetë përherë një zë pro.
“Integrimi
në BE është i rëndësishëm për Shqipërinë dhe duke qenë se Suedia është pro
këtij hapi, është edhe e interesuar të dijë për problemet që sjellin
ngadalësimin e përmbushjes së kritereve të vendosura. Dihet tashmë që janë tri
kritere kyçe që vendi juaj duhet t’i përmbushë me sukses dhe për këtë duhet
bashkëpunim mes palëve”, deklaroi diplomati suedez.
Gjatë takimit, tre nënkryetarët e Bashkisë Fier, Flamur
Mato, Haxhi Kalluci dhe Florjan Muçaj, çmuan kontributin e qeverisë suedeze në
procesin e integrimit të Shqipërisë. Pasi e kanë informuar me gjithë
kronologjinë e zhvillimeve të ngërçit të Këshillit të Qarkut të Fier, ata i
kanë prezantuar diplomatit suedez edhe disa projekte të qeverisjes vendore, gjë
që përfshihej në interesimin e dytë të
shfaqur të trupit diplomatik. Mes diskutimeve palët janë ndaluar në mungesën
aktuale të investimeve në mjedis dhe rehabilitimin e lumit Gjanicë. Ndërkohë
suedezët premtuan se vitin e ardhshëm do të shihet me prioritet përfshirja e
Bashkisë Fier në projektet e tyre, duke e cilësuar këtë njësi vendore si qendër
e një ndër ekonomive më të mëdha në Shqipëri.
No comments:
Post a Comment