Një simbolikë e bukur në qëndër të qytetit. Është
kjo dhurata që po bën Bashkia Fier dhe biznesi i qytetit në përkujtim të
festës së 100-vjetorit të Pavarësisë. Ndërtuesit kanë filluar tashmë punën për
ndërtimin e platformës së betontë, ku do të instalohet monumenti i titulluar ”Europa
Plaza”, një glob shumëngjyrësh alumini, me dimension sa një e treta e
rrethrrotullimit të sheshit “Fitorja”. Në të do të vendosen
edhe 27 shtiza flamujsh të vendeve të BE. Sipas nënkryetarit të Bashkisë Fier,
Flamur Mato, ky simbol që po ndërton bashkia, në kooperim me
kompaninë private ”Alb-Star”, ka vlera shumëdimesionale.
“ ‘Europa Plaza’, është
një monument artistik unikal, i konceptuar si një vepër arti, si një monument
lavdie i qytetit, si një monument i lirikës fierake, i shpirtit të gjerë e
dashurisë së tij të pafund. Simbolikisht, aty memorizohet e shkuara e përgjakur,
shkatërruar nga luftrat dhe e ardhmja e përbashkët e familjes së madhe
europiane”,-thekson Mato.
Sipas Matos ky
monument do t’i shërbejë jo vetëm ruajtjes së identitetit kombëtar dhe
aspiratës europiane, por do të ketë impakt të fuqishëm mbi turizmin e
qytetit të Fierit, pasi është i pari dhe i vetmi i këtij lloji.
“Monumenti do
jetë pikë e pashmangshme për të gjithë turistët që do vijnë në qytet e që do
dalin fotografi përpara tij, pas promocionit që ne do t’i bëjmë në të gjitha rrjetet
e komunkimit në internet,si; facebook, tëitter
etj. e deri te botimet e shumta e fletëpalosjeve. Ndërkohë, vlen të thuhet që ndriçimi
me anë të projektorëve do t’i japë një vlerë shtesë sheshit qendror të
Fierit në orët e natës”,-tha Mato.
Sipas skulptorit Fate
Velaj, ideator dhe realizues i këtij projekti, ky simbol reflekton, ruan dhe
përcjellë vlerat kombëtare, por njëkohësisht i pasuron ato me frymën e re
të familjes Europiane.
”Ne do ta përfundojmë
këtë simbol të lavdisë dhe krenarisë historike para 28-Nëntorit dhe do t’i
ftojmë të gjithë ambasadorët e vendeve të Europës, të vijnë të ngrenë secili flamurin
e shtetit të vet në këtë memorial, që përcjellë ëndrrën e bukur për një të
ardhme të përbashkët”,- tha Velaj.
Ndërkohë, sipas presidentit të firmës “Alb-Star”,
Sadik Ismailaj, kjo firmë, e cila ka ekskluzivitetin e investimit dhe që po punon intensivisht për përfundimin
në kohë të globit, ky i fundit do të ketë një diametër 7 m dhe lartësi 3m.
“Ky glob është, padyshim, simbol i vlerave unviversale
dhe botës perëndimore. Ai pritet t’i japë qytetit një performancë edhe më
të hijshme në këtë 100- vjetor. Diametri i tij do të jetë 7 dhe lartësia 3 metër.
Globi do të ketë ngjyrë blu dhe bojëqielli për të simbolizuar mëngjeset e
pastra europiane, por edhe nuancat e së kuqes si kujtesë historike për luftrat
e përgjakshme”,-ka vijuar Ismailaj.
Në trupin e këtij ndërtimi, do të vendosen 27 flamuj, që
përfaqësojnë 27 shtetet e Bashkimit Europian. Ky investim është një
performacë artistike me frymëzim modern, që shpreh edhe aspiratat e qytetarëve fierakë për t’u integruar në BE.
No comments:
Post a Comment