Friday, June 29, 2012

Bylisi, rikthim në identitet i polifonisë



  Cel siparin Festivali Ndërkombëtar i Polifonisë, i njohur për promovimin e vlerave të polifonisë së vendit të shqipeve. Në një konferencë për shtyp organizatorët e festivalit, Yzeir Llana dhe Fatos Klosiu shprehën se krahas grupeve më të mira folklorike të vendit do të demonstrojnë vlerat folklorike edhe grupe nga Ballkani dhe Evropa. Ky festival mbart vlera folklorike të traditës, ka si motiv nxitjen dhe promovimin e grupeve e këngëtarëve të talentuar, nxit turizmin kulturor të trevës së Mallakastrës, krijon atmosferë shlodhëse e argëtuese në mbrëmjet e bukura mallakastriote. Festivali organizohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkia Fier, Bashkia Ballsh, Komuna Qendër, Shoqata Kulturore- Artistike “Polifonia Shqiptare. Festivali organizohet në qytetin antik të Bylisit si një vend që dëshmon zhvillimin dhe qytetërimin e fiseve ilire në antikitet. Bylisi është padyshim qyteti antik hijerëndë, ballkoni ku dominon bukuria dhe madhështia. Historia shekullore shpalos vlera arkeologjike të qytetërimit ilir qysh prej shekullit të katërt para erës sonë,ndërsa në këtë amfiteatër gjigand ka marrë udhë tradita e re e Festivalit “Bylisfonia”. Ky festival ka karakter prezantues dhe konkurues, njëkohësisht është jehonë e freskët e pasurisë kombëtare, siç është polifonia shqiptare, tashmë margaritar në thesaret kulturore botërore të UNESKO–s. Koordinimi i guidave artistike me netët magjike të festivalit është shans i papërsëritshëm për çdo vizitor në këtë trevë me pëllëmbë e histori.