Monday, October 29, 2012

Dhuna në familje, takim në qytetin e Fierit




Bashkia Fier në bashkëpunim me  Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta, zhvilluan në Fier një takim Rajonal mbi ngritjen e mekanizmit të koordinimit dhe referimit ndaj dhunës në  familje.  Kjo veprimtari e mbështetur nga programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me fonde të qeverisë  suedeze pati si qëllim të evidentojë një punë sistematike në mbrojtjen e të drejtës së gruas dhe në disiplinimin tërësor të barazisë gjinore. Kryetari i Bashkisë Fier Baftjar Zeqaj foli për një skemë të qartë të këtij institucioni lidhur me nismat në kuadër të luftës kundër dhunës në familje. Zeqaj u shpreh se bashkia që ai drejton, po bën një  punë të mirë në lidhje me rastet e paraqitura, për t’u krijuar grave apo familjeve të dhunuara asistencë gjithëpërfshirëse në rehabilitim të tyre. Pas fjalëve të rastit, Zeqaj  firmosi   marrëveshjen e bashkëpunimit për ngritjen e mekanizmit të referimit dhe trajtimit të rasteve të dhunës në familje. Po ashtu, përfaqësues të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta, folën për nismat e qeverisë shqiptare lidhur me luftën kundër dhunës në familje, ndërsa Aurela Bozo, eksperte e UNDP-së kundër dhunës ndaj gruas prezantoi ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm për adresimin e dhunës ndaj grave.

No comments:

Post a Comment