Celet në Fier ekspozita “Për Mëmëdhenë”, konceptuar si një
mozaik kartolinash nga koleksionisti i njohur
Kozma Dashi. Kjo ekspozitë, një risi për qytetin, përmban 12 rubrika, me mbi 60 korniza dhe mbi 600
njësi fotografike si kartolina, tablo e gravura, dokumenta e koleksione
flamujsh e monedhash, të gjitha
origjinale. Materialet e sjella u ekspozuan për herë të parë, ndërsa autori ishte
kujdesur t’i vendoste ato me një rrjedhë kronologjike në kohë e zhvillim. Lidhja
Shqiptare e Prizrenit, do të ishte kartolina e parë e lançuar nga
koleksionisti, për të vijuar më tej me Pavarësinë e Shqipërisë, me figura e
partiotë të shquar kombëtarë. Autori solli po ashtu edhe Shkodrën e rrethuar të
vitit 1913, Princ Vidin, Luftën e Parë Botërore, mbretin Zog I, Skënderbenë e deri objekte
të tilla siç është pllaka e gramafonit të këngëtarit të mirënjohur të qytetit të
Fierit, Kiu Poro. Për ta ndjekur ekspozitën merrnin pjesë njerëz të artit dhe të
kulturës, intelektualë, qytetarë artdashës si dhe kryetari I Bashksië Fier
Baftjar Zeqaj.
Në fjalën e tij drejtori i Drejtorisë së Artit dhe Kulturës,
Frederik Jorgaqi u shpreh se kjo ekspozitë është tepër e veçantë, si një
gjerdan shumëngjyrësh kartolinash të thurura me mjeshtëri nga koleksionisti
Dashi.
“ Na ka mbledhur në këtë ekspozite krejt të veçantë
koleksionisti Kozma Dashi. Jemi mësuar që në këtë mjedis të shohim vepra të
artit pamor si portrete, peizazhe,
tablo, skulptura edhe sot ato janë të pranishme, por në një trajtim krejt
ndryshe. Syri i mprehtë prej artisti i dhjetra fotografëve ka fiksuar vende
historike, ngjarje e personalitete të rëndësishme, tablo dhe mjaft dukuri e
objekte të historisë së popullit tonë. Të gjitha këto vlera që përbëjnë një
kujtesë të çmuar historike të atdheut tonë, na vijnë në këtë 100-vjetor të
Pavarësisë si një gjerdan shumëngjyrësh kartolinash, të thurura plot kulturë e
shije nga koleksionisti ynë i shquar Kozma Dashi”.
Vetë autori i ekspozitës Kozma Dashi u shpreh se kjo
ekspozitë është trajtuar si një mozaik kartolinash që ai e bën për popullin e
vetë në këtë jubile të Pavarësisë.
“E kam konceptuar kështu. Pra, një kartolina për 100-vjetorin
e Pavarësisë. Kam sjell të gjitha fotot origjinale. Vijnë në këtë ekspozitë rreth 600 njësi fotografike si kartolina, dokumenta e koleksione të ndryshme. Materialet
shfaqen për herë të parë, ndërsa siç e thamë edhe më lart, janë vendosur në rrjedhë
kronologjike. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë, Luftën e Parë Botërore, figura si; mbreti Zog
I, Skënderbeu etj”, ka thënë ndër të tjera koleksionisti Dashi.
Sikurse u bë një prezantim i shkurtër nga kreu i
Drejtorisë së Artit, Frederik Jorgaqi, koleksionisti Kozma Dashi u takon atyre
djemëve të Fierit që kanë qenë gjimnazistë e studentë të shkëlqyer në mësime.
Dashi mbaroi për inxhinieri elektrik e dhe mori pjesë në ndërtimin e Hidrocentralit
të Fierzës. Më pas në Fier në TEC e më vonë projektues i suksesshëm i sistemeve
elektrike. Gjatë viteve 1990 Kozmia diti me mençuri të ndërthurë profesionin e inxhinierit elektrik me atë të
biznesmenit të suksesshëm. Të gjitha këto s’i kanë mjaftuar dhe s’e ka ndier
veten asnjëherë të kompletuar pa të shfaqurit e vetes si një intelektual me
interesa të gjera dhe me shpirt të ndjeshëm e të hollë. Kultura e tij është e
gjithanshme; letrare, historike, muzikore etj, ndaj ai është i pranishëm dhe kontribues në
realizimin e një sërë veprimtarive kulturore e artistike. Kozma Dashi njihet si
një njeri me pasion të jashtëzakonshëm për të zbuluar, mbledhur, koleksionuar e
sistemuar objekte, sende, vepra arti, dokumenta, të cilat janë me vlera të mëdha
historike, dokumentarë, artistike e muzeale. Të gjitha këto, sipas Jorgaqit,
Dashi i realizon si një njeri me kulturë të gjerë e sy të mprehtë kërkuesi. Kozma Dashi di të dallojë vlerën që u qëndron kohërave nga gjërat e rëndomta,
të njohë historinë, njerëzit që e kanë bërë atë, vendet ku fshihen apo ruhen
materialet e vyera, pra, ai e ka bërë këtë punë falë një pasioni e këmbënguljeje,
aftësie komunikuese etj…
No comments:
Post a Comment