Tuesday, October 2, 2012

Fier: Kinezët, interes për investime në bujqësi



 

Në kuadër të binjakëzimit midis Bashkisë së Fierit dhe asaj të Lanzhout në Kinë, një delegacion kinez ka vizituar qytetin myzeqar. Përfaqësuesit e Bashkisë së Lanzhout janë pritur në këtë takim nga dy nënkryetarët e Bashkisë Fier, Haxhi Kalluci dhe Florjan Muçaj. Këta të fundit, pasi u kanë uruar miqve aziatikë mirëseardhjen, kanë bërë një prezantim të përgjithshëm të marrëdhënieve mes dy popujve, por edhe të resurseve të qytetit të Fierit. Në fjalën e vet, nënkryetari Kalluci ka deklaruar se Shqipëria dhe Kina kanë qenë dy vende me miqësi të hershme dhe vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira edhe aktualisht. “Kemi qenë në Lanzhou dhe kemi mbetur të befasuar nga mikpritja. Kina dhe Shqipëria janë dy vende që kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të mira shpirtërore dhe reciproke”, – është shprehur mes të tjerash Haxhi Kalluci. Po ashtu, edhe nënkryetari Muçaj ka realizuar një rezyme të qytetit të Fierit, si një vend me industri të zhvilluar, ndërsa është ndalur dhe te bujqësia, duke i ftuar kinezët të investojnë për zhvillimin e saj. “Duke vlerësuar investimet tuaja serioze, do të ishte me interes për Fierin investimi në fushën e agrobiznesit. Fermerët fierakë arrijnë të prodhojnë, por dalin nën kosto, për shkak të mungesës së tregjeve. Këtë vit janë eksportuar fare pak prodhime bujqësore pikërisht për mungesë të politikave më efikase në drejtim të nxitjes së tregut dhe agropërpunimit”, – ka thënë nënkryetari i Bashkisë, Florjan Muçaj. Më pas, vizitorët kinezë janë deklaruar të gatshëm për investime në Fier, duke e cilësuar këtë qytet si një ndër qendrat ekonomike më të fuqishme në Shqipëri. “Është në interesin e të dyja vendeve një bashkëpunim i vazhdueshëm dhe frytdhënës, ashtu siç në të vërtetë ka qenë edhe deri tani. Mendojmë se ka vend për përmirësime dhe indicje të reja, prandaj ne shprehim gadishmërinë për të investuar në ato fusha në të cilat edhe qyteti juaj ka nevojë”, – u shpreh nëndrejtori i marrëdhënieve ekonomike në Bashkinë e Lanzhout. Lanzhou është një bashki gjeografikisht e ndodhur në Kinën perëndimore dhe njihet si një qytet kulturor, industrial dhe pikë komunikacioni. Lanzhou preket edhe nga stacioni i rrugës së mëndafshit, duke qenë njëherësh edhe një ndër bashkitë e përcaktuara si zonë prioritare për zhvillim nga Këshilli i shtetit kinez.

No comments:

Post a Comment