Monday, October 8, 2012

“The red in the bedroom” , fantazia “çmendurake” e artistit Fate Velaj



Piktori dinamik, Fate Velaj erdhi në Fier me ekspozitën e tij me piktura dhe fotografi, ekspresionin dhe magjinë e artit të gjallë. Në ambientet e Galerisë së Arteve në Fier, punët e Velajt mblodhën intelektualë dhe përfaqësues të  pushtetit vendor, drejtues të institucioneve, artistë e miq të autorit.
Me një diapazon të gjerë krijuesi, piktori Velaj kishte paraqitur në këtë ekspozitë mbi 15 piktura dhe rreth 50 fotografi nga jeta sociale e një vendi, duke sjellë dëshmi të gjalla të fiksuara në celuloid. Ajo që binte në sy ishte kapërcimi melodioz që autori bënte sa në pikturë edhe në fotografi, sa me përjetime e imagjinata derdhur në telajo, aq edhe me kapjen e një momenti, një momenti çfarëdo që shpreh padyshim shumë.
Vetë Velaj  do të shprehej se ekspozita antologjike, “The red in the bedroom” (E kuqja në dhomën e gjumit) do të vinte si rrjedhojë e një inspirimi krejtësisht rastësor që autori pati. Në atë dhomë, ku gjithçka përjetohet me ngjyrat  reale dhe qetësinë e natyrshme.
 “... Mendimet e para mbi ciklin “The red in the bedroom” (E kuqja në dhomën e gjumit) më erdhën pasi lexova romanin “L’amour fou” (Dashuri e çmendur) të André Breton. Gjatë realizimit të këtyre veprave, nuk kam dashur kurrë të hyj në detaje, bile kjo as më ka interesuar ndonjëherë. Gjithmonë kam dashur të analizoj atmosferën... dhe në këtë rast ‘brenda dhomës së gjumit’... Aty ndien aromën e gjithçkaje... të mallit, të së bukurës, të xhelozisë e frikës... të seksit, dëshirës e pasionit... dhe mbi të gjitha dashurisë...” – shprehet artisti Velaj.
Në të gjitha punimet sqimatare të autorit, shihej qartë simbioza mes të  dyjave: pikturës dhe fotografisë. E ndërsa,  piktura e tij është  e veshur me velin modern të krijimit, kompozimit e servirjes, fotografia që sjellë Velaj,  bart me vete gjithë gamën jetësore, atë që ne të gjithë e shohim , e prekim, e pranojmë, e ndryshojmë , e kërkojmë. Të gjithë këta element bënë që artdashësi fierak të shijonte vepra me vlera ideo-artistike të shumëlarmishme, kolorit ngjyrash, kontrast  çastesh etj.
 

No comments:

Post a Comment